Asnjë temë tjetër nuk mund të jetë më e rëndësishme, se sa, dëshmimi që Koroshishta arkeologjike, mund të radhitet me Trebenishtin, Lyhnidin, Selcës së Poshtme pranë Pelionit në Shqipëri, apo edhe krahë Arhontikos, Sidonsit dhe Halkidikit në Greqi, por kjo duhet dëshmuar me anë të hulumtimeve të ardhshme.
Rrëfimin mbi “mrekullinë” arkeologjike që këtyre ditëve ndodhi në fshatin Koroshishtë të Strugës, do ta ndërtojmë duke u bazuar në shumë (arte)fakte dhe po aq përjetime. Por edhe duke adresuar edhe disa apele, të cilët mbase tingëllojnë pretencioze, por janë të sinqerta dhe të domosdoshme që lexuesi ynë, dhe sidomos opinioni gjerë duhet ti ketë parasysh. Para se gjithash, këto apele duhet kuptuar si të nevojshme për t’i bërë shërbim të mirë trashëgimisë sonë, dhe sidomos, në rastin konkret, zbulimit arkeologjik në fshatin Koroshishtë. Këtë e themi të obliguar nga përgjegjësia profesionale (njëherë në cilësinë e arkeologut, pastaj edhe të dëshmitarit okular), duke i përcjellë me ditë të tëra gërmimet në terren. Aq më tepër kur tani më është më se e qartë që, Koroshishta po i hap gjerësisht në portat e analeve të historiografisë arkeologjike.
KOROSHISHATA NË UDHËKRYQIN E RRUGËVE TË ANTIKITETIT
Sa për qartësim, duhet theksuar se fjala është për zbulimin e një varri masiv me karakter pothuajse monumental, i cili mund të jetë i vetmi i këtij lloji i zbuluar deri më tani në rajonin tonë dhe me gjerë. Ndërkohë që, gjetjet arkeologjike të zbuluara në këtë varr nga shumë njerëz të fushës së arkeologjisë u cilësuan si “zbulime epokale”. Dhe me të drejtë, sepse gjetje të këtilla arkeologjike zbulohen shumë rrallë. Pikërisht, me këtë zbulim Koroshishta, jo vetëm që fitoi epitetin e një “siti të ri arkeologjik”, por ky lokalitet po bëhet edhe një pikë reference e re shkencore në arkeologjinë e periudhës arkaike që lidhet me pellgun e liqenit të Ohrit. Parashikimet e arkeologëve janë që ky vend-zbulim, mbase, mund të radhitet krahë kulturës së famshme ilire të Trebenishtit, në mos edhe të shkoj përtej saj! Por, këtë duhet ta dëshmojnë hulumtimet e mëtutjeshme arkeologjike, që priten të ndërmerren në të ardhmen.
Megjithatë, duhet rikujtuar se sinori i fshatit Koroshishtë, i cili ndodhet në udhëkryqin e rrugëve të lashta, “Via Egnatia” (më herët “Via Kandavia”) me linjën e rrugës rrugës që e lidhte Ohrin me Shkupin, nuk është i panjohur në hartën arkeologjike të vendit. Në këtë hartë aktualisht figurojnë tetë lokalitete, të periudhave të ndryshme, dhe ato janë: Kalaja, Kisha latine, Çifliku, Qeramidica, Gllavina, Sharkucka, Shekimi dhe Rasnica. Siç dihet në asnjërin nga këto lokalitete nuk janë bërë kurrfarë hulumtimesh deri më tani, por kur jemi te lokaliteti “Rasncia” disa kilometra larg fshatit, duhet theksuar se pikërisht në arealin e këtij toponimi, u zhvillua episodi i parë arkeologjik i Koroshishtës.
Ashtu si çdo histori e zbulimeve të mëdha arkeologjike që kanë ndodhë në të kaluarën, edhe kërkimet në Koroshishtë që dhanë rezultate impozante, e kanë zanafillën e tyre. Rrëfimi i kësaj “çudie” arkeologjike pat filluar që në vitin 2020, kur sipas pohimeve të (ish)pronarëve të tokës, pjesëtarët e familjes Shemshedini nga Koroshishta, hasën në një përkrenare të “tipit korintik” dhe në një enë prej bronzi, dhe se me insistimin e më të moshuarit, Shefit Shemshedinit (80 vjeç), ato gjetje u dorëzuan në Qendrën për Konservim dhe Muzeun e Ohrit.
Nuk kaloi shumë kohë dhe u përhap lajmi për gjetjen e përkrenares. Kjo ndodhi, pasi Bojan Taneski, kustos i lartë në Muzeun e Ohrit e publikoi raportin përkrenares në fjalë. Por, kjo përkrenare dhe vend-gjetja e saj më së shumti i intrigoi dy arkeologët, Ftini Dalipin dhe Pero Arxhanliev, të cilët pas tre-katër vitesh bisedash për ti bindur pronarët, fatmirësisht falë vullnetit të mirë të pronarit tokës, Bukuri Shemshedini, të cilit i takojnë padyshim falënderimet më të mëdha, përpjekjet e tyre rezultuan me sukses. Dhe kështu, Mr. Pero Arxhanliev, kustos në Muzeun Arkeologjik të Republikës së Maqedonisë së Veriut, pasi fitoi një projekt të financuar me mjet modeste nga Ministria e Kulturës, gjatë kësaj vjeshta ata i filluan gërmimet arkeologjike të cilat zgjatën pak më shumë se një muaj.
THESAR-KËRKUESIT ILEGAL DHE RRJETET SOCIALE
Jo më kotë thuhet se, fati i ndjek të guximshmit. Këtë më së miri e dëshmuan Arxhanliev dhe Dalipi, të cilët me bashkëpjesëmarrësit tjerë në ekipin e arkeologëve, iu rrekën me këmbëngulje punës. Ashtu që arkeologët, ditën vazhduan duke punuar palodhshëm dhe natën duke e ruajtur vend-zbulimin nga “thesar-kërkuesit” ilegal. Dhe mundi i tyre nuk shkoi huq, ato depërtuan deri në thellësitë prej pesë metrash ku fshihej tërë ajo pasuri aq e çmuar arkeologjike. Kështu, me ditë dhe javë të tëra arkeologët punonin me vetëmohimi dhe i gëzoheshin çdo artefakti arkeologjik që e gjenin. Dhe gjithçka shkoi mirë deri në tre – katër ditë para përfundimit të gërmimeve, kur nëpër disa rrjete sociale shpërthyen informacionet të llojeve më të ndryshme.
Disa nga portalet filluan të shpërndanin lajme të paverifikuara dhe të pasakta, dhe pa e respektuar as edhe kodeksin e shenjt të gazetarisë, duke mos u mbështetur në asnjë burim informacioni. Kjo pastaj mjaftoi që të shpërthejnë edhe individë të ndryshëm, dhe të ashtuquajturit “intelektual” që të jepnin cilësime dhe interpretime, pa e njohur thelbin e problemit dhe pa e pasur parasysh kontekstin arkeologjik. Dhe kjo për fat të keq, nuk është hera e parë që po ndodh te ne, të cilët në emër të “shqetësimit” për trashëgiminë reagojnë dy a tri ditë dhe pastaj kurrë më nuk u kujtohet se ç’po ndodhë me fatin e asaj trashëgimie! Kështu ndodhi vite më parë me Kalanë e Ohrit, me Kalanë e Shkupit, me nekropolin në Skupin antik, të cilat sot askush fare nuk i përmend.
Por, sidoqoftë, kjo le të mbetet si akti më pak i rëndësishëm i këtij rrëfimi, sepse të tilla reagimesh ka pasur, ka dhe do të ketë përherë. Më me rëndësi është se çfarë thonë arkeologët për “fenomenin” Koroshishtë, dhe për këtë morëm mendimin e bartësit të projektit, Pero Arxhanliev, cili thotë: “Hulumtimet arkeologjike në Koroshishtë i tejkaluan të gjitha pritshmëritë tona për shkak të arkitekturës mbresëlënëse të varrit, dhe sidomos të objekteve arkeologjike jashtëzakonisht të vlefshme që zbuluam aty. Prandaj, këto kërkime janë më se të suksesshme dhe me to e vendosin këtë lokalitet si dhe fshatin Koroshishtë dhe gjithë rajonin Ohër-Strugës në hartën e objekteve të rëndësishme arkeologjike”.
Dhe është i kuptueshëm entuziazmi arkeologëve, sepse nga ai varr dolën mbi 100 gjetje të plota apo të fragmentuara arkeologjike prej qeramike, hekuri, bronzi, argjendi dhe ari. Ndër ato vlen të veçohen një gjerdan (pektoral), disa aplikacione dhe një shputë dore me unazë në njërin gisht të gjitha prej ari, një ojnohoje (enë) prej argjendi, një krater, një përkrenare, disa enë dhe sidomos një mburojë prej bronzi shumë karakteristike, armë e shumë gjetje tjera, që flasin për ritin me inhumacion të këtij varri.
Aty u gjetën edhe materiale hostologjike dhe organike që do të çohen në analiza studimore laboratorike. Por, shikuar nga tipologjia, gjetjet arkeologjike të varrit masiv të Koroshishtës, janë pothuajse identike me varret numër VII-të dhe VIII-të të Nekropolit të Trebenishtit. Gjithnjë, sipas pohimeve të bashkëbiseduesve tanë, ky nekropol i ri (i mundshëm), i cili i përket periudhës arkaike (shek. VI – V p.e.s.) e që konsiston me nekropolin e mirënjohur të Trebenishtit, akoma më shumë e vërteton faktin për një të kaluar shumë të pasur arkeologjike dhe historike të rajonit të Ohrit dhe Strugës. Varri i Karoshishtës përveç me Trebenishtin, mund të ndërlidhet edhe me nekropolet të zbuluara në Dollogozhdë, Ladorisht, si dhe me nekropolin pranë Portës së Lartë të qytetit antik Lyhnidi në Ohër, pohon Arxhanliev.
ARKAIZËM DO TË THOTË LASHTËSI!
Por, publiku i gjerë, me të drejtë është bërë sy e veshë që të mësojë se sa të vjetra janë gjetjet arkeologjike të Koroshishtës, dhe akoma më shumë kërkon të dijë se cilët janë bartësit etnik të kësaj kulture. Kjo temë e tensionon situatën, por, sigurisht që kërkon një përgjigje. Ndonëse, është shumë herët për vlerësime përfundimtare, sepse materialet janë akoma në fillim të procesit studimor kabinetik, por, arkeologët e këtij projektit, megjithatë, nuk e mohojnë faktin se bartës të kësaj kulture janë Enkelejtë, për të cilët mendojnë se i përkasin periudhës arkaike, duke e shpallur edhe zbulimin në Koroshishtë si “nekropol arkaik”. Megjithatë, nocioni “arkaik” i cili përkthyer në gjuhën shqipe do të thotë “i lashtë” e që e përfshinë periudhën stilistike nga shekulli VIII deri në shekullin V p. e. sonë, nuk është i kuptueshëm gjithaq për publikun e gjerë, prandaj për shpjegim më saktë iu drejtuam arkeologut, Fitni Dalipi, pa të cilin, jemi të bindur, se kjo ekspeditë nuk do të bëhej.
“Periudha arkaike është një nocion që përdoret në kronologjinë arkeologjike, dhe gjatë asaj kohe në pellgun e liqenit të Ohrit, gjë që nënkupton edhe në rrethin e Strugës, kanë jetuar Enkelejt. Sa për të qartësuar në arkeologjinë shqiptare “periudha arkaike” identifikohet me periudhën e “kulturës qytetare ilire”. Dhe nëse, Enkelejtë kanë jetuar në këto vise dhe ato thuhet se janë ilirë, kurse ne shqiptarët themi se jemi pasardhës të ilirëve, atëherë përgjigja vjen vetvetiu, se cilët janë bartës të kësaj kulture”, konstaton, Dalipi.
Pikërisht, këtu edhe merr kuptim apeli i cili shkon për të gjitha ata që nuk janë të fushës së arkeologjisë, të cilët me të drejtë e shprehin shqetësimin e tyre si qytetar, por do të ishte mirë që të mos merren me interpretime shkencore, sepse nuk e ndihmojnë dot trashëgiminë kulturore. Opinioni shqiptar akoma më i revoltuar po reagon pse në gërmime është parë arkeologu, Pasko Kuzman, për çka, drejtuesi i gërmimeve Pero Arxhanliev u përgjigj: “Prania e kolegut të nderuar Pasko Kuzman, ashtu si edhe prania juaj profesor Pollozhani, në gërmime ishte shumë e vlefshme për të përfituar nga përvoja juaj e gjatë që keni. Pasko Kuzman është njeriu që ka bërë më së shumti për arkeologjinë maqedonase që nga pavarësia e vendit tonë dhe mendoj se reagimet e opinionit nuk ishin korrekte”.
KOROSHISHTA SI TREBENISHTI !?
Por tema këtu nuk është Pasko Kuzman! Tema kryesore, megjithatë, mbetet varri i Koroshishtës, i cili e ka pasuruar shkencën arkeologjike me një numër të madh informacionesh të reja. Ndaj dhe, fjalën kryesore tani e tutje duhet ta kenë institucionet e trashëgimisë, në radhë të parë muzetë, arkeologët dhe specialistët e tjerë të kësaj fushe, për atë se si do të menaxhohet ky vend-zbulim arkeologjik në të ardhmen. Ky është një apel për ata që e bëjnë politikën në vend, që duhet menduar në mënyrë racionale dhe duhet siguruar fonde të nevojshme financiare për hulumtimet e mëtutjeshme të këtij lokaliteti, dhe të mos përzihet në çështjet shkencore. Por, sigurisht që duhet të vëzhgojnë zbatimin e ligjshmërisë që merren me trashëgiminë kulturore.
Ndërkaq, përgjegjësia për trajtimin, interpretimin dhe publikimin e gjetjeve arkeologjike le tu mbetet specialistëve të fushës. Arxhanliev apelon që ky vend-zbulim të shpallet “Projekt Kapital” dhe të financohet drejtpërdrejt nga Qeveria për kërkime të mëtejshme sistematike. Gjurmët dhe pohimet e pronarëve të tokave rreth e qark, janë indikacione që flasin edhe për fshehjen e varreve tjera në këtë lokalitet!?
Dhe kur jemi këtu, patjetër duhet bërë një apel drejtuar edhe të gjitha partive dhe politikanëve shqiptar, pa përjashtim, e në radhë të parë atyre që janë ën pushtet, që ta bëjnë atë që nuk e kanë bërë, (por që kanë mundur ta bëjnë), brenda këtyre 34 viteve. Pra, të përkujdesën më shumë për hisen shqiptare të trashëgimisë kulturore të cilën e mbrojnë: ligjet, institucionet përkatëse dhe specialistët e fushave gjegjëse. Ti punësojnë dhe ti motivojnë të rinjtë që duan të merren me trashëgiminë, si dhe të zgjedhin profesionist në drejtimin e institucioneve të trashëgimisë kulturore. Për këtë apelon edhe Fitni Dalipi, edhe pse arkeologu i parë i diplomuar shqiptar në Maqedoni, i cili edhe përkrah dëshirës aq të madhe që pati për profesionin e jetë së tij, megjithatë kurrë nuk u punësua në institucionet e trashëgimisë. Por ai nuk u ndal, ndaj dhe apelon tek arkeologët, që të jenë të kujdesshëm dhe tu përmbahen metodave dhe kritereve të mirëfillta shkencore në zbulimin dhe interpretimin e materialeve arkeologjike.
Sigurisht që ka mbetur edhe shumë çka për tu thënë, por ky rrëfim nuk do të përfundojë me kaq. Por nuk do të ishte i plotë pa e përmendur kontributin e pazëvendësueshëm të Xhemil Allës, i cili në cilësinë e nikoqirit të Bashkësisë Lokale të fshatit Koroshishtë, si dhe si ndihmës teknik i ekipit, u bë “alfa dhe omega” e logjistikës gjatë gërmimeve. Por organizatorët e projektit nuk i lanë pa i falënderuar edhe banorët e tjerë të Koroshishtës, të cilët e pritën me entuziazëm këtë zbulim. Shumica prej tyre ishin gjithmonë aty të gatshëm për të ndihmuar, nga të cilët duhet veçuar, sidomos, Joni Nazifin për ndihmën e tij, pastaj Argjent Dalipin, por edhe shumë të tjerë.
NË VEND TË PËRFUNDIMIT
Pra, si përfundim, mund të thuhet se në Koroshishtë lindi “legjenda” arkeologjike, bashkë me heronjtë e saj, dhe ata janë arkeologët. “Një zbulim i tillë ka qenë një ëndërr e imja gjatë gjithë jetës dhe jam shumë i lumtur që u realizua. Së bashku me ekipin tim u shpërblyem për të gjitha përpjekjet tona” u shpreh në fund, arkeologu, Arxhanliev. Por, heronjtë mund të kontestohen dhe mund të harrohen, kurse legjenda mbetet përjetësisht e gjallë! Ndaj të shpresojmë që hulumtimet e ardhshme do të dëshmojnë që Koroshishta, do të bëhet “legjenda” më e re arkeologjike me përmasa shkencore ndërkombëtare! Le të dëshmohet nëse “nekropoli” i Koroshishtës, mund të jetë në rangun e Trebenishtit, Lyhnidit, e varreve monumentale mbretërore të Selcës së Poshtme pranë qyteti ilir, Pelioni në Mokër të Shqipërisë, apo edhe krah Arhontikos, Sidonsit dhe Halkidikit të Greqisë. Mbase kësaj “torte” i mungoi “qershia”, pra nuk u gjet ndonjë maskë e artë, por kjo nuk do të thotë se nuk do të zbulohet në të ardhmen. Prandaj, të gjithë duhet të bëjmë tifo që në Koroshishtë të vazhdojnë gërmimet arkeologjike. (koha.mk)

